‘Fake News’ është një term ka hyrë në Shqipëri jo më larg se vitin e shkuar, falë jehonës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Por tashmë është përhapur gjerësisht dhe në Shqipëri. ‘Fake News’ është një lajm, një histori, apo dhe reklamë, e krijuar enkas për te keqinformuar publikun, për të devijuar lexuesit ose për të denigruar dike, kryesisht figurë publike. ‘Fake News’ lindi dhe u përhap së bashku me teknologjinë dhe me krijimin e mediave sociale, ku në morinë e burimeve të shumta të informacionit, njerëzit e kanë të vështirë se cilës media ti besojnë dhe cilës jo. E keqja është se mediat sociale për të kërkuar vëmendje, për të hyrë në treg, për më shumë klikime zgjedhin të postojnë thashetheme, lajme kafeneje, duke lënë mënjanë thelbin e profesionit të gazetarisë për mbështetjen e lajmit në më shumë se dy burime. Efekti negativ që krijohet nga Fake News nuk mund të zhbëhet. Kjo pasi edhe nëse përgënjeshtrohet lajmi askush nuk i jep përgënjeshtrimit të njëjtën hapësirë si vetë lajmit të rremë
Por a është e mbrojtur Shqipëria nga Fake News? A ka mekanizmat e duhur për ta ndalur këtë fenomen? A munden mediat serioze të distancohen nga lajmet false? A janë rrezik këto Fake News për median dhe demokracinë?

Për këto çështje mjaft të debatueshme u diskutua sot në workshopin me titull: “Fake News, problem i medias apo i demokracisë?” organizuar nga departamenti i Shkencave të Komunikimit në Unversitetin Bedër, Tiranë. Të ftuar ishin ambasadori i OSBE, z. Boschart, profesorë të njohur të gazetarisë si Mark Marku, Lutfi Dervishi, drejtues i shoqatës së gazetarëve Aleksandër Cipa, gazetare të njohur por dhe përfaqësues të marrdhënieve për publikun në institucione apo kompani. Gjithashtu të pranishëm ishin studentë të gazetarisë dhe komunikimit në këtë universitet

Fotot: Universiteti Beder, faqja zyrtare Facebook
Larmia të ftuarve kishte për qëllim të nxiste një debat mbi atë se e gjithë shoqëria është e kërcënuar nga Fake News dhe jo vetëm media. Ashtu siç u shpreh z. Boschart në fjalën e tij, Fake News janë kërcënim për demokracinë. Ai vetë përshkroi një rast ku ishte viktimë e “Fake News” dhe inkurajoi gjetjen e mekanizmave nga institucionet apo dhe organizatat e shoqërisë civile për ta luftuar këtë fenomen.

Gazetarët duke marrë fjalën thanë se zgjidhja e kësaj situate për mediat serioze është e qartë: thjesht të kontrollohen faktet tek lajmi i rremë, dhe të merren më shumë se dy burime. Deri në gjetjen e fakteve, ai lajm nuk duhet të publikohet. Në rast se gazetarët bëjnë siç duhet punën për të cilën ata paguhen, atëherë ata jo vetëm shpëtojnë reputacionin e medias ku punojnë, por e bëjnë atë të besueshëm, dhe më afatgjatë në treg.
Përveç medias që kërcënohet nga Fake News, të prekur janë individët të cilët nuk kanë ku të ankohen për lajmet që përhapen për ta: kryesisht njerëzit e botës së showbiz, të cilët janë të përndekur dhe përhapen lloj lloj lajmesh për çdo lëvizje të tyre.
Por të prekur janë dhe kompanitë. Një kompani nëse është viktimë e një ‘fake news’ të hapur nga konkurenti i vet e ka shumë të vështirë të reagojë. Për kompanitë mediat kërkojnë para edhe në këmbim të botimit të një përgënjeshtrimi. Shpesh kompanitë përballen me një demtim të imazhit të tyre dhe e kanë shumë të vështirë ta rikuperojnë reputacionin, madje shkojnë deri në faliment. Ajo që duhet të bëhet është që vetë mediat përvec se të zbatojnë parimet e gazetarisë, të ndërgjegjësojnë edhe publikun se cilat lajme duhet të besojnë, të shpërfillin lajmet që nuk kanë autor, nuk kanë cituar asnjë burim informacioni, të kontrollojnë faktet dhe të dallojnë lajmin nga opinioni.

Eva Kushova