Në fund të këtij sezoni veror, agjencia Yahoo Travel i ka bërë një shërbim të madh turizmit shqiptar. Një ekip i kësaj agjencisë udhëtoi në Shqipëri, duke bërë atë që bën për gjithë botën, foto nga vendi ynë. Të bën përshtypje ku u ndalën dhe çfarë fotografuan. Së pari plazhet tona të shumta e të mrekullueshme, ku i përzgjedhur ishte një plazh në gadishullin e virgjer të Karaburunit. Plazhi aty krahasohet me Kroacinë ne dicituren përkatëse dhe një pyetje shumë intriguese: A është Shqipëria Kroacia e re? Në fakt përsa i përket vijës bregdetare dhe plazheve padiskutim jemi prane Kroacisë, pa dalë nëper rrugët tona pranë ketyre plazheve dhe pa provuar facilitete të tjera që nuk mund të krahasohen me Kroacinë. Gjithsesi imazhi që përçon te ata turiste që nuk e njohin Shqipërinë është absolutisht mahnitës dhe tërheqës për turistët. Më pas Yahoo Travel vijoi me një set fotosh nga maja e Llogarase, ku duket mali e deti aq në harmoni me njëri-tjetrin. Dhe këtu pamja është magjepsëse, e pandotur. Ndalesa e radhës- një lokal në Borsh, me ujin e fresket që gurgullon gjithandej. Dicitura shoqëruese shumë e bukur, si një ndalese e rastësishme në një local të tilllë, që të lë të mendosh se Shqipëria ka dhjetra lokale të tilla për të shijuar një kafe. Dhe së fundi, Butrinti e Gjirokastra, me të cilat ne vertet krenohemi. Butrinti me rrënojat arkeologjike historike, dhe Gjirokastra, qyteti i mbrojtur nga Unesko për vecantinë e shtëpive karakteristike dhe rrugëve të gurta. Sigurisht nuk është kaq Shqipëria, pasi sic duket grupi në fjalë ka bërë një tur ditor bregdetar e jugor, por efektin ky tur e bëri. Imazhin e Shqipërisë për rreth 350 mije ndjekësit e vet, Yahoo Travel tashmë e ka dhënë. Një Shqipëri me plazhe të bukura e të virgjëra, me rivierë e bukuri malore po aq sa bregdetare, vende historike dhe qytete të Unescos. Nëse llogariten dhe 58 mije ndjekës në twitter të ‘Yahoo travel’ ku gjithashtu janë postuar fotot e Shqipërisë, atëherë themi se efekti pozitiv për mijëra turistë është dhënë. Shumë prej tyre në komente shpreheshin që nuk e kishin vizituar kurre Shqipërinë dhe mezi prisnin të vinin për t’i parë nga afër këto bukuri. Kështu që e vetmja gjë që mund të themi është faleminderit Yahoo travel, për promovimin falas të bukurive shqiptare, pa qenë nevoja për të publikuar spote miliona euro nëpër mediat prestigjoze sic ka ndodhur më pare. Fatmirësisht një rol të madh sot luajnë mediat sociale për shpërndarjen e ketyre fotove ne mijera e mijera njerez ne mbare boten…