digital marketing agency Tirana

Nga Sadiola Xhelili,  Albanianpost

Vështirë të gjesh diçka që nuk shitet në internet.

Dhe për aq kohë sa këtë fjali e ka thënë sipërmarrësi amerikan Jeff Bezos, vështirë mos ta marrësh si të mirëqenë.

Mjafton hapja e një prej mediave sociale dhe si me porosi, shfaqet produkti ose shërbimi që kërkon.

Është terreni më i fundit i marketingut, atij digjital. Vështirë t’i shmangesh.

Ngado foto ose video që ‘bërtasin’ për të tërhequr vëmendjen apo për të bindur konsumatorin që të konvertohet në blerës.

Por çfarë fshihet pas kësaj?

Shumë dëgjohet, por pak dihet

Për Alma Gërxhanin, Drejtore e Manderina Marketing & Tourism Consultancy, koncepti i marketingut digjital qarkullon shpesh në diskursin e atyre që kërkojnë ta aplikojnë atë.

Ama për këtë koncept nuk dihet aq sa edhe flitet.

Prandaj dhe lind pyetja se, çfarë është në thelb marketingu digjital?

“Është formë e marketingut që përdor internetin dhe platformat online për të reklamuar shërbime, produkte dhe për të arritur te audienca e dëshiruar”, shpjegon ajo.

Dhe se për bizneset e vogla ka përfitime shumë të mëdha, për arsye se është me kosto minimale dhe të pakrahasueshme me marketingun tradicional.

“Arrin një audiencë shumë të madhe dhe të targetuar mirë me më pak para. Kjo është ajo që i duhet biznesit sidomos atij të vogël që e ka të pamundur të paguajë reklama tradicionale e aq me pak ato televizive ku një sekondë shkon qindra euro”, dallon marketerja.

Duke qenë se audienca nuk është e njëjta, edhe format e përqasjes nuk janë të tilla. Megjithatë, Gërxhani nxjerr si platformat më të përdorura Google-in, por edhe mediat sociale si Facebook-u dhe Instagram-i.

“Në varësi të qëllimit që ka biznesi për një fushatë reklamimi, përcaktohet dhe forma… përcaktohen në tre kategori të mëdha: e para  ka si synim shikueshmërinë, e dyta ka si synim angazhimin dhe  e treta konvertimin”, sqaron ajo.

Të parat u shfaqen sa më shumë njerëzve pavarësisht nëse ata bashkëveprojnë ose jo me reklamën dhe përshtaten me momentet e daljes në treg të një biznesi.

Kurse kategoria e dytë, angazhueset, synojnë që audienca të bashkëveprojë me reklamën.

Në to, “synohet që vizitorët të shohin sa më shumë një video ose të pëlqejnë sa më shumë një postim, të komentojnë ose të vizitojnë një faqe të caktuar interneti”.

I treti grup, ka për qëllim konvertimin, t’i kthejë vizitorët në blerës.

Me rëndësi, sipas saj, është që marketerët të monitorojnë nga afër fushatat e tyre dhe të përdorin të gjitha teknikat e sugjeruara nga vetë platformat për performancën e reklamave.

Si dhe të jenë të përditësuar me të rejat më të fundit të fushës.

Në Facebook është Facebook Pixel që mundëson regjistrimin e vizitorëve dhe sjelljeve të tyre në faqe dhe kjo e dhënë përdoret nga platforma për të targetuar një audience të ngjashme.

Po ashtu në Google Ads ka raporte performance dhe vlerësime për një reklamë, si dhe sugjerime si duhet bërë më efektive.

Sipas marketeres, në Shqipëri ka një përdorim të gjerë të marketingut digjital.

“Shumë biznese e bëjnë vetë dhe menaxhimin e rrjeteve sociale dhe atë të fushatave. Por se sa thellë i hyjnë kësaj fushe dhe sa cilësisht i bëjnë reklamat është për t’u parë”, veçon ajo.

Në fund, “kualifikimet duhet të merren nga institucionet përkatëse, Google-i ofron certifikata kualifikimi për aftësi të ndryshme dhe një pjesë e mirë e tyre kanë afate një vjeçare dhe duhen përsëritur”.

Por sa i kanë këto kualifikime marketerët shqiptarë?

Gërxhani tregon se ndodh që mund të mos kenë as edhe një kualifikim të vetëm në këtë fushë. Dhe se kjo ndodh rëndom në Shqipëri, por jo në Kosovë.

Mungesa e njohurive dhe profesionalizmit janë ato që e prishin ‘atmosferën’ e përgjithshme të aplikimit të marketingut digjital në vend.

Fundja… është profesion dhe e ka të nevojshëm hulumtimin.

Megjithatë, forma digjitale e marketingut ka arritur të përshtatet me terrenin shqiptar pasi “interneti ka penetruar kudo në Shqipëri”.

“Shqiptarët i përdorin shumë mediat sociale dhe kjo e bën gjithashtu efektive një reklame në këto media sepse konsumatorët janë aty dhe për një kohë të gjatë dhe kështu mund t’ua shfaqësh mesazhin”, përmbyll Gërxhani.

Burimi:  https://albanianpost.com/ne-terrenin-digjital-te-marketingut/

Artikulli dhe ilustrimet janë kortezi e Albanianpost.com