Ka qene e padrejtë. Ndërsa shumica e fshatrave te Shqipërisë, shumica e fermerëve anekënd vendit rropateshin duke mbjellë, grurë, drithëra, perime, fruta, bimë medicinale, duke u bërë shërbimet e mundimshme vit pas viti, duke pritur me durim frytet e punës së tyre, deri sa gjithë produkti të shitej dhe ata të merrnin të ardhurat për familjet e tyre, Lazarati fitonte bukën pa mundim te madh. Një fshat i veteshpallur autonom prej gati nje dekade, ku ligjin e bënin vete banoret, mbillte fusha të tëra me marijuanë, nën hundën e shtetit. Askush nuk e quante më fshat, dhe banorët nuk i thërriste askush fermerë. Edhe pse puna e tyre quhej bujqësi. Mbillnin, vadisnin, prashisnin, korrnin e paketonin. Por ndryshe nga bujqësia e stërmunduar ende me parmende, dhe ende në kushtet e mbijetesës në pjesën tjetër të Shqipërisë, bujqësia e tyre llogariste fitime në 4.5 mld euro në vit. Megjithate këto para, nuk shkonin për ekonominë e vendit dhe as ne GDP e vendit. Banorët thonë se shumica e tyre shpenzohej në Tiranë dhe në xhepat e ‘krimineleve’, edhe pse natyrisht mbetej mjaftueshëm fitim për banorët e zonës. Ndërsa fermerët në pjesën më të madhe të Shqiperise, kanë mbetur ende të varfër dhe të varur nga puna e tyre, në Lazarat banorët jetojnë ne luks, dy tre makina për shtëpi, vila luksoze. Lazaratasit madje ishin kthyer ne biznesmene, pasi punësonin thuajse gjithë fshatarët e zonave perreth.
Ndërsa bujqësia e Shqipërisë tjetër, siguronte me vështirësi ndër vite gati 20% të GDP se vendit. Fermerët e stërmunduar me punë të ndershme kanë arritur vit pas viti ta sigurojnë që vetëm bujqësia të jetë sektor me fitim në vendin tone. Askush nuk kishte guxuar deri më sot të hynte ne Lazaratin e lumtur, ne Lazaratin e gjelbër, ku jeta ndryshonte tërësisht nga pjesa tjetër e Shqipërisë së vuajtur. Nëse e gjithë kjo histori do marrë fund, atëherë Lazaratasit duhet t’i shtrohen punës si gjithë fermerët e tjerë. T’i mbjellin ato toka pjellore me grurë, misër,  perime etj. Të jetojnë më punën e tyre të ndershme njësoj si fermerët e tjerë në viset e ndryshme të vendit. Tani mund të vendoset barazia mes fermerëve…