Mjaftoi një ditë e vetme, një vizitë e Atit të Shenjtë, që Shqipëria të përmendej ndryshe në gjithë botën. Një efekt të tillë nuk do ta kishin as dhjetra spote publicitare, miliona dollarëshe, në CNN, BBC e media të tjera botërore. Nuk ishte thjesht toleranca dhe bashkëjetesa fetare, apo sakrifica e martirëve katolikë në diktature, ajo që u reklamua gjatë vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri. Në fakt këto vlera janë përmendur shpesh. Ajo që u reklamua vec emrit Shqipëri gjatë kësaj vizite historike, ishte KULTURA e lartë që treguam, një organizim perfekt, një Tiranë europiane, një mikëpritje e jashtëzakonshme dhe e përmbajtur. Treguam se jemi vend i sigurt për të udhëtuar, jo vetëm për sigurinë e Atit të Shenjtë, por të mijëra pelegrinëve që erdhën atë ditë nga shumë vende të botës. Treguam se kemi shije, si ne skenografine e zgjedhur ne Sheshin Nene Tereza, por dhe gjithe rregullimet, gjelberimet dhe dekori qe nga Rinasi e deri ne bulevardin qendror.
Në fakt dihet se shqiptarët i mirepresin të huajt më mirë sesa njëri tjetrin dhe kjo mikepritje u evidentua edhe gjatë vizitës së ish presidentit amerikan Xhorxh W Bush. Por atëherë ishin turma të entuziazmuara qe turreshin t’i kapnin duart, ta përqafonin, ta preknin deri në babëzi, dhe gjithcka përfundoi me një histori dashakeqe të një ore të vjedhur. Gjatë vizitës së Papa Franceskut, gjithcka ishte ndryshe. Të gjithë ishin më të përmbajtur, edhe pse shumëkush mund të shpresonte se një prekje e tij do të thoshte prekje e Zotit. Por të gjithë duart i ngrinin lart me celularë vetëm për të kapur një foto të Atit të Shenjte, për të kapur një kujtim nga ajo ditë historike. Organizimi i sheshit ishte në perfeksion. Nuk pame euforinë e festes së 100 vjetorit të pavarësisë, a thua sikur njerëzit të cilët kishin zënë vendet e tyre që në orët e para të mëngjesit, ishin trajnuar të qëndronin me durim në një distancë nga njëri tjetri aq sa të mos ngjiteshin e shtyheshin. Kush u fut mes turmës atë ditë e vuri re se kishe hapësire mjaftueshem për të marrë fryme. 
Pra ajo që u përcoll ndërkombëtarisht ndryshe nga herët e tjera ishte kultura në një shkallë më të lartë e shqiptarëve. Ishin apo nuk ishin katolik, turma nuk kishte dallim. Ata që qëndruan për orë të tëra në shi e në diell, dëgjuan me endje dhe pa shtirje meshën fetare deri në fund. Ashtu sic e tha dhe Papa Francesku kur u largua, Shqipëria është një vend europian me një kulturë të lartë. Kësaj here e dëshmuam këtë kulturë. Organizimi tregoi se ne dime të jemi në standardet europiane edhe përsa i përket anës protokollare. Nuk jemi më diletantë. Kështu që më shumë se faleminderit Papës që zgjodhi vendin tonë, i themi faleminderit dhe gjithë shqiptarëve, që treguan një kulturë të lartë ditën e vizitës së tij.