Instagram bëhet gati për ndryshime të tjera. Pas opsionit të ri, që nuk do t’i lejojë përdoruesit të postojnë komente me përmbajtje ofenduese, një masë kjo për të parandaluar bullzimin, tani ata do të tentojnë të fshehin numrin e pëlqimeve nëpër foto.
Kjo do të thotë se përdoruesit e rrjetit social, në postimet e tyre nuk do mund të shohin më numrin e atyre që e kanë pëlqyer por vetëm emrat, nëse klikojnë tek “others”.
Ky vendim është marrë pas disa shqetësimeve, të cilat bëjnë me dije se numri i pëlqimeve apo i komenteve që marrin të rinjtë dhe adoleshentët në postimet e tyre dhe krahasimi që i bëhet, mund të kontribuojnë në vetëvlerësimin e ulët dhe ndjenjat e pamjaftueshmërisë.
Update-i është në proçes testimi në disa vende si Australia, Zelanda e Re, Irlanda, Italia, Japonia apo Brazili dhe shumë shpejt pritet të bëhet në të gjithë vendet ku ka përdorues të rrjetit social. Sipas Mia Garlick, që është drejtuese e politikës së kompanisë “mëmë” Facebook, për pjesën e Australisë dhe Oqeanisë, qëllimi i këtij opsioni të ri është të largojë presionin që shpesh krijohet, nga numri i pëlqimeve që merren në postime.
“Qëllimi është që përdoruesit të ndihen më pak të gjykuar dhe të shohim nëse ky ndryshim mund të ndihmojë njerëzit të përqëndrohen më pak te pëlqimet dhe më shumë në tregimin e historisë së tyre”- shprehet Garlick.
Atyre që ky ndyrshim mund të mos i pëlqejë janë ata që bëjnë biznes nëpërmjet Instagram-it, duke qenë se numri i “likeve” është i rëndësishëm për punën e tyre. Megjithatë kompania tha se kjo gjë nuk do të ndikojë në mjetet e matjes së të bërit biznes dhe përdoruesit do mund ta shohin ende listën e njerëzve që kanë pëlqyer një postim, edhe pse vetëm me emra. /Blitz.al/